Vlerat e harruara të kostumografisë lezhiane, specialisti: Shumë kostume kanë humbur

schedule17:29 - 21 Nëntor, 2020

schedule 17:29 - 21 Nëntor, 2020

Në një prej dhomave të katit të 3 të pallatit të kulturës në Lezhë është vendosur një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Kostumografia, një ansambël ngjyrash dhe punimesh nga më të bukurat.

Petrit Dushi, specialisti kostumografisë që kujdeset për këto veshje nuk e mohon se dhe koha ka ndikuar në humbjen e tyre.

“Realisht duhej të ishte një thesar, ka pasur më shumë por unë jam munduar të bej maksimumin për ta riformatuar, sistemuar dhe etiketuar në mënyre qe të ruhet diçka. Unë kaq sa është këtu kam gjetur edhe pse ka pasur shumë dëmtime,” shprehet ai.

Ish-drejtori i Pallatit të Kulturës, Ismet Zusi jep një shembull për veshjen e Pllanës, trevë kjo me vetëm 1.000 banorë nuk ka asnjë ngjashmëri me asnjë prej zonave të tjera, e po kështu edhe kostumi i saj.

“Kostumi i Pllanës faktikisht ka pasur 4 të tille në kostumografinë e ansamblit, por me ndryshimet jashtë janë bërë edhe ndryshimet brenda.”

Për të mbrojtur këto vlera duhet shumë punë qoftë dhe vullnetare dhe shumë angazhim.

“Jam munduar qe te bej mjaftueshëm punën time, duke i riparuar që të jenë të aksesueshme dhe të përdorshme, e sigurisht edhe duke blerë vetë asete që nuk kanë qenë këtu në mënyrë për të lënë një trashëgimi,” thotë Dushi.

“Këtu duhet të jetë muzeu etnografik sepse kemi një pasuri dhe disa të mbyllura e të pa ekspozuara. Do të ishte e mirë qe të prezantoheshin pasi Lezha ka arritur të prezantohet deri në 44 deri 46 variante dhe nënvariante të kostumeve tradicionale, ndaj do të duhej një ambient i përshtatshëm, pra ku është kjo larmi? Mund të realizohet nëse do të kthehen sytë tek kultura dhe po zhduket kjo trashëgimi e t’u jepet rëndësi këtyre vlerave qe i kemi,” thotë Gazmend Golemi.

Në muzeun etnografik të Lezhës janë vendosur disa kostume, por në këtë dhomë ka akoma më shumë. Specialistët thonë se Lezha përbën veçanti në vendin tonë për këto arsye.

“Lezha është një qytet heterogjen e kjo patjetër sjell edhe larmi.”

“Është vlerë Lezha për kostumografinë sepse nëpërmjet saj është zbërthyer edhe vlera folklorike duke u përfaqësuar shume treva. Lezha gjithmonë në festivalet folklorike ka qenë e kompletuar me kostume origjinale dhe asnjëherë me imitacione.”

Veshja malësore dhe ajo Mirditore në Lezhë identifikohen pasi janë lehtësuar dhe janë plotësuar me lule si edhe janë bërë me të lehta për t’ju përshtatur klimës së ngrohtë.

Në rastin e kostumit të Kallmetit bëhet fjalë për një veshje që mendohet se është trashëgimi prej periudhës ilire.

Veshjet në Lezhe janë kaq të larmishme sa do të mendosh se këtu është mbledhur e gjithë Shqipëria. Fatkeqësisht nuk ka pavijon të veçantë për një prezantim kaq impresionues për vizitorët që duan të njohin kulturën dhe historinë.

Ish muzeu-etnografik është në rrënim. Do të duhej një ambient i tillë si shtëpia e Mlikajve për një vlerë kaq të madhe.

Për këtë objekt po hartohet projekti i rikonstruksionet nga ministria, ndaj kjo larmi e veshjeve tradicionale duhet të presë që të jetë e gjitha për publikun, një mundësi për turizëm kulturor shumë efikas. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!