Pas fitores në Çair dhe Tetovë, dy nga bastionet me luftën më të ashpër elektorale mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për lokalet e 19 tetorit, tensionet mes dy kampeve nuk janë ulur.
Përkundrazi, VLEN ka intensifikuar qëndrimin e saj kundër Aleancës Kombëtare për integrim të Ali Ahmetit.
Sipas tyre, zgjedhjet ishin lokale por disfata e Aleancës Kombëtare për Integrim ishte kombëtare.
Tentativat e dëshpëruara të AKI së shpartalluar dhe pa busull për t’i përkthyer zgjedhjet e 19 tetorit në “mandate deputetësh” janë dëshmi se ky koalicion nuk ka humbur vetëm vota, por edhe kontaktin me realitetin.-shkruan VLEN në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
Sipas tyre, shqiptarët folën më qartë se kurrë dhe zgjodhën ndryshimin, në më shumë se dhjetë komuna, duke dhënë besimin për energji të re, për fytyra që punojnë dhe jo ata që fshihen pas patriotizmit të rremë.
Ata kërkojnë “kokën” e Ali Ahmetit, duke e konsideruar rezultatin e 19 tetorit një disfatë dhe fundin politik të tij.
Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar disa herë përmes Bujar Osmanit, i cili e ka përshëndetur fitoren e kundërshtarit te tij Izet Mexhiti, por edhe përmes Arben Taravarit që vijon luftën për Gostivarin.
Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet më 2 nëntor, ndërsa fushata për të ka nisur.

