Putin vs Navalny: Beteja mbi të ardhmen e Rusisë do të intensifikohet vitin e ardhshëm

schedule16:35 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 16:35 - 23 Dhjetor, 2020

Nga Arkady Ostrovsky “The Economist

Tridhjetë vjetori i shembjes së Bashkimit Sovjetik, do të jetë një element qendror për politikën ruse në vitin 2021. Në gushtin 1991, zyrtarët më fanatikë të Partisë Komuniste udhëhoqën një grusht shteti kundër Mikhail Gorbachev, udhëheqësit të fundit reformator të Bashkimit Sovjetik.

Ata nxorën tanket në rrugë në një përpjekje për të përmbysur rrymën e historisë që ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt,pa e ditur se me atë veprim ata e përshpejtuan shpërbërjen e perandorisë. Moskovitët dolën në rrugë për të mbrojtur parlamentin e tyre kombëtar nën flamurin trengjyrësh të Rusisë.

Katër muaj më vonë Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Megjithëse shumica e ish-republikave sovjetike po shohin përpara tek e ardhmja, vetë Rusia i është rikthyer vazhdimisht të kaluarës së saj perandorake.

Vladimir Putin, që e nisi presidencën e tij në vitin 2000 me rivendosjen e himnit sovjetik, ka rivendosur gradualisht në vend shumë nga praktikat e vjetra sovjetike, përfshirë censurimin, shtypjen, përplasjen me Perëndimin dhe agresionin ndaj fqinjëve.

Gatishmëria e tij për t`a hedhur poshtë rendin e pasluftës, dhe aftësia e tij për të përdorur forcën i kanë dhënë atij një avantazh taktik mbi Perëndimin. Por 30 vjet pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, një rrymë tjetër e shpejtë dhe e fuqishme historike po lëviz kundër relikeve të rendit sovjetik.

Kjo rrymë vetëm sa do të përshpejtohet në vitin 2021, duke nxjerre më në pah kostot dhe dështimet e politikës së zotit Putin. Pasi e bazoi legjitimitetin e tij tek ideja e ringjalljes së Perandorisë, ai është armiqësuar me shumicën e ish-republikave sovjetike, të cilat e shohin tani më shumësi një kërcënim sesa si një magnet.

Aneksimi prej tij i Krimesë dhe lufta në Donbas, i kanë kushtuar Rusisë prishjen e marrëdhënieve të saj me Ukrainën. Dhe lufta 6-javore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor, tregoi rolin në rritje të Turqisë në rajon.

Ndoshta,trashëgimia Sovjetike nuk po sfidohet askund më qartë sa në rrugët e Bjellorusisë, një nga rajonet me një nga regjimet më autoritare dhe në dukje më të bindura të ish-perandorisë sovjetike, që tani po përfshihet nga një kryengritje kombëtare.

26 vitet e fundit ajo është qeverisur nga Alexander Lukashenko, një ish-drejtor ferme që e  përdori trashëgiminë sovjetike si themelin e regjimit të tij. Ai hoqi qafe flamurin kuqezi të përdorur për herë të parë në vitin 1918, gjatë një periudhe jetëshkurtër të pavarësisë së Bjellorusisë, i rivendosur më pas në vitin 1991, duke e ndërruar atë me një version të modifikuar të flamurit të Bjellorusisë Sovjetike.

Me ndihmën e subvencioneve ruse ai i mbajti fabrikat në duart e shtetit, e shtypi popullin e tij, dhe manipuloi rregullisht zgjedhjet në emër të stabilitetit. Në gushtin e këtij vitit, qindra mijëra bjellorusë dolën në rrugë për të protestuar kundër vjedhjes së zgjedhjeve të radhës.

Lukashenko reagoi dhunshëm, duke e kthyer një protestë në një kryengritje kombëtare.

Ky rizgjim kombëtar në Bjellorusi, u perceptua me të drejtë si një kërcënim edhe për regjimin e Putinit. Pasi ai nxori në pah jo vetëm brishtësinë e diktaturës, por sfidoi edhe themelin e saj të përbashkët ideologjik me regjimin në  Moskë.

Protestat në Bjellorusi ishin në të njëjtën linjë me ato të protestuesve në Khabarovsk, në Lindjen e Largët Ruse, të cilët dolën në rrugë thuajse në të njëjtën kohë, pasi qeveria në Moskë arrestoi guvernatorin e tyre popullor. Dhe ndërsa Kremlini mbështeste Lukashenkon, kundërshtarët e tij në Rusi brohorisnin pro protestuesve bjellorusë dhe shfaqnin në rrugë dhe internet flamurin e tyre.

Ashtu si Lukashenko, edhe Putin e ka ndërtuar ideologjinë e tij gati tërësisht rreth përvjetorëve dhe simboleve sovjetike. Ai e ka shndërruar në aktivitetin e tij më kryesor paradën ushtarake që kremton fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Këtë vit, organizoi një pseudo-referendum mbi ndryshimet kushtetuese që ndryshojnë sërish kufizimin e mandatit presidencial të Putinit, duke i mundësuar atij në teori të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Megjithatë, popullariteti i tij po bie në mënyrë të vazhdueshme, së bashku edhe me të ardhurat e rusëve të zakonshëm. Dhe një ekonomi në stanjacion, nuk do t`a ndryshojë këtë tendencë. Helmimi me Novichok, një agjent nervor ushtarak i Alexei Navalny, udhëheqësit kryesor të opozitës ruse, duket si një akt që dëshmon dëshpërimin e regjimit.

Mbijetesa e zotit Navalny, dhe pohimi se pas sulmit ndaj tij qëndron Putin, e ka dëmtuar më tej pozitën e presidentit rus. Edhe pse kontrollon gjykatat, shërbimet e sigurisë dhe komisionet zgjedhore, zgjedhjet parlamentare ruse të vitit 2021, ka të ngjarë të kthehen në një fushëbetejë të ashpër.

Taktika e Navalny për të konsoliduar votat e protestës kundër partisë Rusia e Bashkuar, mjetit përmes të cilit Putin ushtron pushtetin e tij, mund të shkatërrojë imazhin e plotfuqisë së Kremlinit.

Për më tepër, vizioni i Navalny për Rusinë si një shtet modern kombëtar, mund të jetë më tërheqës sesa nacionalizmi perandorak i stilit sovjetik i Putinit. Një luftë serioze për parlamentin, që 30 vjet më parë shpalli pavarësinë e Rusisë nga Bashkimi Sovjetik, mund ta bëjë të rëndësishëm këtë përvjetor në vitin 2021.

Perktheu Alket Goce-/abcnews.al/