Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se ka presion mbi vendin e tij “nga çdo drejtim” dhe theksoi se janë ekonomia më e madhe në Evropë. Në një takim në qytetin Khabarovsk, që ndodhet në lindjen e largët të Rusisë, Putin bëri vlerësime për ekonominë.
Duke deklaruar se ai beson se Banka Qendrore e Rusisë do të zvogëlojë normën e interesit me kalimin e kohës, Putin u shpreh: “Unë mendoj se norma e interesit aktual të bankës qendrore është e përkohshme dhe kjo do të ndryshojë kur zgjidhen çështjet që lidhen me inflacionin. Hapat e bankës në përgjithësi synojnë të luftojnë inflacionin dhe mendoj se do ta arrijmë objektivin”.
Ai theksoi se vendet e huaja po bëjnë presion ndaj Rusisë. “Duket se ata po përpiqen të na mbytin nga të gjitha anët dhe ne jemi nën presion. Akoma, ne jemi ekonomia më e madhe në Evropë. Ne e lamë Gjermaninë pas dhe u ngritëm në vendin e pestë në botë. Kina, SHBA-ja, India, Japonia dhe Rusia. Jemi të parët në Evropë”, tha Putin.
Duke deklaruar se Rusia e ka kaluar të gjithë Evropën për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse, Putin tha se duhet të punojnë më shumë në pjesën e të ardhurave kombëtare për person dhe se kanë punë për të bërë. Putin foli edhe për rritjen e çmimit të vezëve, që ka qenë në rendin e ditës së fundmi në vend dhe tha se autoritetet kanë vonuar të ndërhyjnë kundër rritjes.
Sipas tij, prodhimi i vezëve në Rusi nuk u ul, por konsumi u rrit. “Të ardhurat e qytetarëve u rritën pak dhe ata filluan të blejnë më shumë vezë dhe mish pule. (Autoritetet) nuk menduan për hapjen e importeve në kohë dhe çmimet u rritën. Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, potencoi Putin.