Në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, krerët shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, kanë vlerësuar lart kontributin e heronjve, martirëve dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për lirinë, ndërsa mirënjohje të thellë shprehën për shtetet që ndihmuan vendin në mbylljen e kapitullit të errët që shkaktoi Serbia.
Osmani tha se 12 qershori i vitit 1999 ishte fanar shprese pasi në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, shkruan Kosova Press.
Duke shprehur mirënjohjen për shtetet anëtare të NATO-s, ajo tha se Kosova ka sërish nevojë për aleatët e saj, të cilët e ndihmuan më 1999. Derisa tha se sfidat sa vijnë e shtohen, Osmani u shpreh se duhet unitet në mënyrë që të mbrohet çdo pëllëmbë e Republikës së Kosovës.
Ajo u shpreh se lufta për liri është një rrugëtim i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe vendosmëri të palëkundur.