Lumi i vetëm i egër i Europës, demonstroi forcën edhe njëherë tjetër. Dhjetëra banorë në Ferras, Çerven, Kashisht dhe Mallakastër u evakuuan për t’i paraprirë incidenteve apo fatkeqësive.
Në pritje të lajmeve për motin, banorët e zonave të prekura rrëfejnë se si përballen me furinë e lumit ndër dekada.
Vjosa me ujërat e saj të kristalta, pasuron tokat e zonave ku kalon dhe në Fier, nuk është rastësi, që zonat me bujqësi të zhvilluar, janë Levani dhe Frakulla. Siat Bana, 84 vjeç banor i fshatit Ferras, ka përjetuar gjatë gjithë jetës së tij, përmbytjet nga Vjosa.
Ai, kujton përmbytjen e 31 dhjetorit te vitit 1970 por edhe rrëfimin e gjyshit të tij për vërshimet e viteve 1930, kur banorët qëndronin edhe majë pemëve deri në tërheqjen e ujërave
Pas përmbytjeve të një dekade më parë, në vitet 2013-2017, në Fier u përforcuan argjinaturat dhe sistemi kullues. Megjithatë, me një lumë të egër si Vjosa, masat mbrojtëse, mbeten gjithmonë të pamjaftueshme.
Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Është lumi i vetëm i egër në Europë dhe është shpallur Park Kombëtar si pasuri botërore natyrore.


