Një vjedhje e kryer afro 20 vjet më parë në Itali, po e përndjek ish-kryebashkiakun demokrat Agron Kapllanaj.
Ai është dënuar në vitin 2004 nga një gjykatë në Firence me 2 vjet burg dhe 300 euro gjobë për këtë vepër penale, ndaj letrat e tij nuk dalin të pastra kur i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit.
Është Prokuroria e Përgjithshme ajo që i është rikthyer sërish kësaj historie, duke i dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një skaner të aktivitetit penal të ish-kryebashkiakut.
Sektori i Dekriminalizimit ka bërë një verifikim të thelluar dhe komunikim me shtetin italian për këtë çështje, ku rezulton se Agron Kapllanajt dënimi i është pezulluar me kusht.
Kjo është hera e dytë që Prokuroria vë në lëvizje KQZ-në për këtë episod. Hera e parë ishte në vitin 2017.
Në atë kohë prokuroria i tha KQZ-së se Agron Kapllanaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Mallakastër, duhej të prekej nga Ligji i Dekriminalizimit dhe të humbiste mandatin.
Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpëtoi Kapllanin duke thënë se dënimi i tij ishte penalizues, por nuk mund të aplikohej ndaj kryebashkiakut pasi kishin kaluar 10 vjet nga kryerja e veprës dhe ajo ishte rehabilituar.
E njëjta logjikë ligjore pritet ta shpëtojë sërish Kapllajan.
Mbledhja e Ilirjan Celibashit për këtë çështje e parashikuar për këtë të mërkurë, u shty./Abcnews.al/