Vizitë në Berat dhe takim me Ramën, Petrov vjen në Shqipëri si kampion Europë

schedule15:13 - 9 Janar, 2021

schedule 15:13 - 9 Janar, 2021

Kampioni Europian i Gjimnastikës, Matvey Petrov, rusi me pasaportë shqiptare, vizitoi sot palestrën e gjimnastikës në Berat. Para pak javësh ai fitoi titullin kampion Europe në gjimnastikë, duke përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Europian të gjimnastikës, që u zhvillua në Turqi.

Petrov ishte me Kombëtaren Ruse për 12 vite me radhë dhe është shpallur edhe nën-kampion bote, por në vitin 2016 ai nuk mundi të kualifikohej në Lojërat Olimpike dhe vendosi të lërë sportin dhe u transferua në Çeki, ku nisi punën si trajner në njërën prej palestrave të Pragës. Atje ai u njoh me trajnerin shqiptar Alon Hasa dhe ky i fundit e bindi të rikthehet të garojë, këtë herë nën siglën e flamurit shqiptar.

Për herë të parë në jetën e tij, duke përfaqësuar Shqipërinë, ai fitoi kampionatin europian për të rritur në turneun e zhvilluar në fund të vitit të shkuar në Mersin të Turqisë. Në vizitën e kryer në palestrën e gjimnastikës në Berat ai u njoh me kolegët e tij gjimnastë.

Matvey Petrov deklaroi se “fitoren ia dedikon jo vetëm përpjekjeve dhe stërvitjes së tij, por edhe të gjithë atyre që e mbështetën dhe trajnerëve, që e bindën të garonte nën flamurin shqiptar në Kampionatin Europian të Gjimnastikës”.

“Jam shumë i gëzuar që kam pasaportë shqiptare dhe ndihem krenar. Minimumi edhe 3 vite, deri tek olimpiada e Parisit do të garoj nën flamurin shqiptar”, u shpreh Petrov. Trajneri Alon Hasa foli rreth qëllimit të takimit që ai dhe Petrov do të zhvillojnë të hënën me kryeministrin Rama.

“Ne do të takohemi edhe me kryeministrin Edi Rama sepse kemi vizione të qarta dhe duam të investojmë në ndërtimin e një palestre gjimnastike në një nga qytetet e Shqipërisë, ndoshta edhe në Berat. Do të jetë një palestër moderne dhe me kushte ndërkombëtare sepse pa kushte ndërkombëtare nuk mund të garojmë dot me gjimnastë botëror.

Palestra në Shqipëri ka pak, por nga ajo që kemi parë e vetmja palestër e mirë gjimnastike është kjo në Berat, por edhe këtu mungojnë kushtet për tu stërvitur. Për këtë arsye,ne do të kërkojmë mbështetjen e të gjithëve”, u shpreh trajneri Hasa. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!