Vizita e modeles në qelinë e Laert Haxhiut, reagon në “Real Story” zëvendësdrejtori i burgjeve

schedule21:02 - 21 Korrik, 2025

schedule 21:02 - 21 Korrik, 2025

Pas publikimit të lajmit për vizitën e modeles nga Kosova, Ziza Pajaziti, në qelinë e të dënuarit me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu në burgun e Drenovës, ka reaguar në emisionin “Real Story” në ABC News zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj.

Ai konfirmoi se ka pasur shkelje të rregullave të brendshme të takimeve me të burgosurit, çka ka sjellë pezullimin e gjashtë oficerëve të sigurisë dhe lirimin nga detyra të drejtorit të institucionit.

Sipas Sufajt, ky është një rast i izoluar, por ka nxitur një inspektim të gjerë në të gjitha burgjet e vendit për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme. Ai theksoi se ngjarja nuk përfaqëson realitetin e përgjithshëm të sistemit të burgjeve në Shqipëri.

“Nuk është sekret se është bërë publike, sepse ka pasur shkelje të rregullave të takimit të të burgosurve. Nuk është kjo panorama e burgjeve. Ka pasur shkeljeve të rregullave që kanë çuar në pezullimin e gjashtë oficerëve. Ky incident, që është kapur nga strukturat tona si shkelje dhe është informuar edhe publiku. Ka pasur një shkelje të rregullave të vizitave. Është bërë një inspektim zinxhir në të gjithë republikën, nëse mund të ishte një rast i përsëritur. Nuk është një incident me pasoja. Në këtë rast duhet të ishin bërë vizita të planifikuara. Drejtori që u lirua, vetëm për shkak të mungesës së planifikimit”, tha zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!