Përfaqësuesi Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell duket se për vizitën e tij në Kosovë ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të distancuar nga media.
Në një lidhje me “ABC e mëngjesit”, analisti Albinot Maloku theksoi se Grenell ka mbajtur një qëndrim të distancuar nga media dhe se diskutimet ishin të përqëndruara më shumë te çështja ekonomike.
“Edhe nga media u distancua, është përqëndruar më shumë të zhvillimi ekonomik. Grenell si punë kyçe ka çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mësohet se ka pasur diskutime për çështjen e formimit të qeverisë së Kosovës gjë e cila tashmë është shumë e rëndësishme. Kjo tejzgjatje nuk është pritur të ndodhte. Ende nuk ka konkretizim të hapave”, u shpreh Maloku.
Ndërsa sa i përket reagimeve për taksën ai u shpreh se taksa ishte si pasojë e rrethanave. Deri tani nuk ka pasur një qasje racionale. Vendimi i qeverisë Haradinaj ka qenë një lloj pengese për të ndaluar Serbinë në raport me çështjen e Kosovës. Nuk ka pasur deri më tani një qasje të ndryshme, përveç zotit Kurti i cili ka thënë se kjo taksë do të konvertohet.
/abcnews.al