Polemisti Laert Vasili në emisionin “360 gradë” në ABC News foli për vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë dhe mesazhet që ai dha për vendin.
Gjatë fjalës së tij, Vasili shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan edhe njëherë se Shqipëria nuk është vetëm dhe se ka në krah një aleat të rëndësishëm.
“Mua më lind pyetja, pse kjo vizitë pikërisht tani? Pse pikërisht tani vjen ky partneritet kaq i rëndësishëm? Mos ndoshta jemi në rrezik dhe SHBA treguan edhe njëherë që Shqipëria nuk është vetëm. Ka një aleat të rëndësishëm në krah. Fqinji ynë po armatoset nga Moska, mos ndoshta pra qëndron diçka tjetër”, tha Laert Vasili.
Ndërsa Ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari teksa foli për situatën në Kosovë dhe tensionet me Serbinë, theksoi se Serbia nuk do të guxonte të vepronte kundër Kosovës.
Gjithashtu ai u ndal edhe tek baza e Kuçovës duke thëne se, kjo bazë vihet automatikisht në veprim dhe se Shqipëria vepron si një vend anëtar i NATO-s dhe jo në mënyrë të njëanshme, në rast të ndonjë sulmi në Kosovë.
“Në një politikë racionale Serbia nuk do të guxonte të vepronte kundër Kosovës, për shkak të rezolutës 1244 që i jep autoritet të plotë jo KFOR, por NATO-s. Është njësoj sikur të cënohet integriteti i NATO-s, nëse cënohet Kosova. Baza e Kuçovës vihet automatikisht në veprim dhe Shqipëria do të veprojë si një vend anëtar i NATO-s, pra do të quhet NATO. Kjo është baza më e afërt. Por nga pikëpamja logjike në rast se serbët apo ata që vijnë në pushtet humbasin racionalitetin politik do të kenë pasoja më të rënda se në ’99 që u bombardua edhe Serbia. Armatosja që po bën Kosova nuk është nga ato kapacitete që mund të kryeje operacione të pavarura sepse sot është KFOR. Por japin mesazh që FSK nëpërmjet armatosjes së saj është duke u kthyer në një forcë të Armatosur dhe kjo tregon tendencë që aleatët ndërkombëtarë janë duke fuqizuar shtetin e Kosovës. Në këto kushte Shqipëria është e detyruar të armatoset”, ka thënë ndër të tjera Meçollari.
/abcnews.al/