Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vlerëson se situata me pandeminë e koronavirusit në Kosovë është shqetësuese dhe nuk përjashton që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.
Pas një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka kërkuar respektimin e masave anti Covid.
Ndër të tjera ambasadori dhe ministri kanë shtuar se pandemia ka përkeqësuar situatën në rrafshin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik dhe social. Në anën tjetër Kosnett ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të ndihmojë edhe më tej Kosovën në luftën kundër pandemisë.
“Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-ja përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partnere e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Kosova më 29 mars nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pasi pranoi 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në programin COVAX, që ka për qëllim të furnizojë shtetet e varfra me vaksina, SHBA-ja është një ndër donatoret kryesore./abcnews.al