Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, këtë të mërkurë gjatë vizitës së tij në Institutin e Shëndetit Publik, ka theksuar se doza e tretë e vaksinës do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm.
Vitia ka thënë se nga ekspertët shëndetësorë dhe nga profesionistët në IKSHPK është bërë me dije se me gjasë do të ketë nevojë për dozë të tretë të vaksinës antiCOVID.
“Profesionistët nga IKSHPK-ja na kanë bërë me dije qartë në MSH se sipas gjitha gjasave do të kemi nevojë për dozën e tretë të vaksinave, marrë parasysh përvojën e vendeve tjera që përkundër vaksinimit me dy doza të qytetarëve ka pasur shpërthim të rasteve me variantin Delta. Kemi filluar negocimin për sigurimin e dozës së tretë dhe do të jetë në dizpocion të qytetarëve të Kosovës vitin e ardhshëm”, ka thënë Vitia.
Ndërkohë në një konferencë më herët ai ka bërë me dije se është duke punuar MSH-ja për të siguruar kontratë për furnizim me doza të vaksinës, për të aplikuar dozën e tretë.
Ndërkohë sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve, Vitia ka thënë se nuk është vendim që e merr ai.
“Nuk është një vendim që e marr unë. Është vendim që merret në bazë situatës në terren, e rekomandimeve nga IKSHPK-ja e nga ekspertët. Secili aktivitet që do të rrezikon shëndetin publik, do ta analizojmë për të parë si t’i qasemi. Kur merret vendimi do të njoftohen qytetarët, nuk do të jetë i fshehtë”, ka thënë Vitia./abcnews.al

