Vitia bën thirrje për vaksinim teksa hyjnë në fuqi masat e reja

schedule13:37 - 13 Shtator, 2021

schedule 13:37 - 13 Shtator, 2021

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia tha të hënën se shëndeti i fëmijëve dhe i nënave do të jetë gjithmonë prioritet i Qeverisë aktuale të Kosovës, andaj u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

“U bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të vendit që të vaksinohen kundër COVID-19, në mënyrë të veçantë u bëj thirrje prindërve të fëmijëve të moshës 12-15 vjeç me probleme shëndetësore, si dhe grave shtatzëna të vaksinohen, sepse kjo është rrugë e duhur për t’u mbrojtur nga virusi dhe për të frenuar përhapjen e mëtejmë të tij”, tha Vitia gjatë ceremonisë së inaugurimit të Spitalit të Fëmijëve, që është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Thirrja e ministrit Vitia për vaksinim vjen në ditën kur në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, të cilat do të zgjasin deri më 26 shtator.

Ndër masat kryesore janë pezullimi i procesit mësimor deri më 26 shtator të nivelit parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe qëndrimin ditor si dhe paraqitja e dëshmisë së vaksinimit apo tekstit kundër COVID-19, për të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh.

Sipas masave, dëshmi për vaksinimin e plotë ose për marrjen e një doze, testi negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, testi antigen jo më të vjetër se 48 orë apo testi i antitrupave jo më i vjetër se 30 ditë do të kërkohet për:

  • Çdo person që hyn në territorin e Kosovës
  • Punëtorët e institucioneve publike
  • Studentët që duan të regjistrohen në konvikte
  • Studentët e institucioneve publike dhe private që duan të hyjnë në objektin e institucionit ku studiojnë
  • Stafi i institucioneve publike dhe private në të gjitha nivelet e arsimit
  • Punonjësit e kinemave, teatrove dhe qendrave të tjera të kulturës
  • Shfrytëzuesit e bibliotekave dhe muzeve
  • Shfrytëzuesit e fitueseve dhe palestrave
  • Klientët dhe stafi i banjave termale
  • Shikuesit e garave sportive që organizohen në hapësira të jashtme

Në fuqi është edhe mbajtja e obligueshme e maskës si dhe kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri më 05:00./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!