Reshjet e borës dhe shiut kanë përfshirë vendin në javën e parë të vitit të ri.
Në Qafë – Thorë në veri të vendit trashësia e dëborës arrinë rreth 15 cm megjithkëtë sipas Prefekturës së Qarkut Shkodër qarkullimi automjeteve vijon normalisht.
Reshjet me intensitet të ulët nuk kanë shkaktuar probleme as në Fushë –Arrëz, Pukë dhe Koplik ku bora ka shkuar në 5 deri 8 cm trashësi.
Ngricat janë të pranishme në disa pjesë të rrugës Bogë- Theth ku mjete të firmës mirëmbajtëse po punojnë për pastrimin e tyre.
Ndërkohë patrulla të policisë rrugore janë shtuar në zonat me fluks të lartë lëvizje ku ka prani bore.
Policia I bën thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Apeli për kujdes të shtuar shkon dhe për ata që do të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe Qafë Thanës ku ka prani akulli në rrugë.
Reshjet e borës kanë krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve në Librazhd, në rrugët nga qyteti në Përrenjas dhe në fshatrat Sopot, Stravaj, Hotolisht e Qarrishtë.
Bora bie me intensitë të ulët në Pogradec ku aktualisht nuk raportohet për bllokime rrugësh.
Ndërkohë për shkak të erës së fortë në Vlorë autoriteti portual ka pezulluar lundrimin e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve te peshkimit. Për shkak të kushteve të motit ato e kanë të ndaluar daljen në det deri më shtatë janar.
Në verilindje dhe juglindje meteorologët parashikojnë reshje bore dhe gjatë fundjavës ndërsa në pjesën perëndimore të vendit priten reshje shiu. / abcnews.al /


