Avokati Rezart Kthupi, në një intervistë në “Newsroom” në ABC News foli për drejtësinë e re, dhe se çfarë pritet prej strukturës së posaçme gjatë këtij viti.
Gjatë intervistës, Kthupi u shpreh se arkitektura e sistemit të drejtësisë nuk duhet të preket.
“Mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë, është arkitektura, pra si zgjidhen si plotësohen vakancat, pjesa tjetër e legjislacionin është ana tjetër e medaljes. Por shqetësuese është nëse do të shkohet drejt prekjes së arkitekturës. Arkitektura e sistemit të drejtësisë nuk duhet të preket”, tha ai.
Gjithashtu gjatë intervistës Kthupi tha se është urgjente që të zgjidhet çështje e dosjeve të prapambetura, ndërsa shtoi se legjislacioni duhet të rishikohet.
“Ne duhet të zgjidhim në mënyrë urgjente dosjet e prapambetura. Sot që flasim Gjykata e Apelit është e stërmbytur. Duhet t’i jepet një shtysë, të krijohen kushte, infrastrukturë dhe burime njerëzore. Duhet të kemi edhe disa ndryshime për mënyrën se si zhvillohet gjyqi që të mos arrihet në stërzgjatje”, tha ai.


