Viti i infrastrukturës/ Qeveria planifikon autostradë Muriqan-Milot. Rama: Këtë vit rinisin hekurudhat

schedule14:52 - 10 Janar, 2024

schedule 14:52 - 10 Janar, 2024

Për qeverinë viti 2024 do të jetë viti i infrastrukturës. Në konferencën për mediat në përfundim të mbledhjes dy ditore të qeverisë në Lezhë, kryeministri Rama njoftoi disa prej veprave të mëdha infrastrukturore që pritet të përfundojnë brenda ktij viti.

” Faktikisht, brenda këtij viti do të hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik Thumanë -Kashar ku thuajse 70% e punimeve janë duke u realizuar, pra, ishte mbi 60 e pak përqind vetëm pak kohë më parë. Kemi qartësi për ecurinë e aksit, e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike pasi e dimë shumë të mirë të gjithë sesa e vështirë është bërë dhe sa shumë do të vështirësohet edhe këtë sezon lëvizja gjatë kohës së verës sidomos nga veriu, drejt jugut apo drejt Tiranës dhe besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit. Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Po punohet për projektin.

Nga ana tjetër, kemi po ashtu adresuar nevojën për financim të by-pass-it të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 ecën me shumë shpejtësi falë edhe terrenit të favorshëm dhe gjeologjisë shumë të favorshme deri sot që flasim dhe jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave, brenda vitit dhe ndërkohë kemi diskutuar financimin e 4 kilometrave që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës.

Jemi në proces dhe besoj që në fillim të vjeshtës do lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Han i Hotit. Kemi fituar nga fondet europiane financimin për segmentin Durrës-Rrogozhinë ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë, Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 edhe me vijën hekurudhore dhe kemi diskutuar po ashtu, sepse ka një komunikim intensiv dhe kthehem prapë këtu në zonë praktikisht, me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga të dyja strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra, për sa kohë, po të kemi Vorë-Han i Hotit, nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës,”-tha Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!