TIRANË- Viti që po lëmë pas ka qenë i mbushur me suksese, por dhe sfida për shoqërinë shqiptare.
Kështu e cilësoi rrugëtimin e vitit 2024 sociologu i njohur Gëzim Tushi, në një intervistë për “News Line” në ABC News.
Ai theksoi se pjesa, e cila po shihet me shqetësim, janë zgjidhjet e martesave dhe kjo qasje për sociologun nuk është tregues i mirë.
“Viti 2024 me plot sfida. Shqipëria ka ecur në hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit. Niveli i kriminalitetit mbetet ende i lartë. Po ashtu niveli i prishjes së martesave në Shqipëri mbetet i lartë, është tregues shqetësues”, tha ai.
Ai pohoi se Shqipëria vijon të ruajë të paprekur kështjellën kryesore të saj, që është familja.
Madje Tushi krahas urimit për vitin 2025, kërkoi që të gjithë të kthejnë shikimin nga familja pasi aty është vendi dhe garanci, që rrit breza të shëndetshëm dhe të denjë për shoqërinë.
“Familja shqiptare vijon të jetë një strukturë solide, vijojnë të mbajnë lidhjet e gjakut. Familja mbetet institucioni më i ngrohtë, ajo është baza, e cila nuk duhet nëpërkëmbet. Uroj që shqiptarët ta kthejnë vëmendjen brenda familjes së tyre, me bindje, që vetëm një familje e fortë është garante për të pasur nesër një shoqëri me më pak probleme sociale. Familja është baza, ku formohet njeriu dhe bëhet një qytetar i ndershëm për shoqërinë.”, u shpreh ai.