Ditën e djeshme, RENEA dhe FNSH rrethuan shtëpinë e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, në Fushë Kuqe.
Pas operacionit të bujshëm, policia arriti të gjente armë e municion luftarak, por nuk pati asnjë person të arrestuar.
Vis Martinaj rezulton i zhdukur prej 9 gushtit 2022 dhe fati i tij vijon të jetë mister edhe për policinë e cila ende nuk e ka një përgjigje se çfarë ka ndodhur me “mbretin e lotove.”
Gazetari i Abc, Ferdinand Dervishi në studion e ABC përballë gazetares Juli Xhokaxhi tha se nga armët e gjetura policia mund të zbulojë gjurmë gishtash. Ai theksoi se kontrollet e imtësishme duhej të ishin kryer që në gusht, kur Martinaj u deklarua i zhdukur nga familjarët.
Dervishi: Në banesën e Martinajt kishte materiale të grupeve krimianle. Martinaj ndimohej nga shumë policë. Në armët e gjetura në banesën e tij mund të gjenden shenja gishtash. Kontrolli i banesës duhej të bëhej që në ditët kur familjarët e denoncuan të zhdukur. Duhet një hetim shumë i thelluar, në të gjitha bazat ku rrinte ky person, sepse i dinë ku janë të gjitha. Policia është një hap para gazetarëve, di më shumë informacion. Në gjithë këtë histori ka shumë gjëra të çuditshme. Ai nuk mbrohej vetëm nga grupe kriminale, por edhe nga policë. Niveli i personave të implikuar është drejtorë, nën-drejtorë të Tiranës. Ish-nëndrejtorë Tirane kanë qenë në shërbim të tij.
Lexo edhe: “A ju tremb hija e Vis Martinajt?” Ulsi Manja “pason topin” tek Bledi Çuçi: Pyesni ministrin e Brendshëm
Gazetari theksoi se Martinaj ishte një njeri shumë i fuqishëm, madje ka pasur edhe ndikim në media.
Dervishi: Që t’i futesh lojërave të fatit në Shqipëri nuk duhet të jesh një njeri që vishesh me xhaketë dhe i thua mirmëngjes punonjësve. Duhet të jesh njeri shumë i egër. Ka pasur denoncime në fillim që kur dikush fitonte ky nuk i jepte lekët. Dikujt i ka djegur historia në këtë pjesë. Mund të jetë dhe politika në mes. Kush është ky njeri, nga ka ardhur, ku shkon fuqia e tij, kush janë grupet e ndihmojnë. Është parë si një njeri shumë i fuqishëm. Është përfolur edhe për influencë në media dhe ka pasur ndikim.
Kontrollet e zhvilluara ditën e djeshme u bënë me vendim të Gjykatës, pas kërkesës së prokurorisë së Kurbinit dhe SPAK për llogari të dy hetimeve, zhdukjes së personit e në rastin konkret të Ervis Martinajt, si dhe të operacionit plumbi i artë, ku u arrestua Nuredin Dumani.
Burime nga organi i akuzës shprehen se nga ana e hetuesve është kërkuar vetëm kontroll banesash dhe se shoqërimi apo ndalimi i personave që iu gjet municioni është kompetencë e policisë për të kryer veprimet proceduriale.
Mësohet se sendet e jashtëligjshme u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj./Abcnews.al/