Kryeministri Edi Rama vijon të ndajë detyrat në funksion të dokumentit Besa dhe platformës Pasqyra Albania.
Këtë herë radhën e kishin zv. ministrat, të cilëve në Vilën e Kuqe u caktoi funksionin në kuadër të skemës së personalizuar.
Një zv. ministër për çdo ministri do të jetë përgjegjës për komunikimin e institucionit me qytetarët.
Madje, zv. ministri ka për detyrë që një herë në javë të organizojë Orën e Pranisë Besnike, të presë apo të takojë qytetarë për të dëgjuar e mbajtur shënim shqetësimet e tyre.
Po ashtu, zv. Ministri do të jetë edhe mbështetësi kryesor i ministrit që në kuadër të skemës së personalizuar ka funksion të zgjidhë problemet e qytetarëve.
Drejtuesit politikë do të jenë më prezentë në terren duke takuar fizikisht qytetarët, dëgjuar problemet e tyre dhe për t’ia dërguar për zgjidhje ministrit përkatës.
Mbledhja në Vilën e Kuqe vijoi vetëm mes Ramës dhe drejtuesve politikë e ministrave.
Tani që dokumenti është lexuar dhe detyrat janë ndarë, shtatori i nxehtë sjell ethet e ndryshimeve.
Ndryshimi i parë erdhi vullnetarisht nga një dorëheqje e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, por fjalën e fundit për ndryshimet rrënjësore në qeveri e ka vetë kryeministri Edi Rama.

