“Dashuria për portretin më çoi drejt skulpturës” – kështu e përkufizon Viktor Ferraj, në një rrëfim në Pas Mesnatë fillesën e rrugëtimit të tij artistik, një udhë që nis nga vizatimi dhe piktura, për t’u mishëruar më pas në vëllim, formë dhe materie. Për të, portreti nuk ishte vetëm paraqitje fizike, por një kërkim i thellë i njeriut, i karakterit dhe i brendësisë shpirtërore.
Liceu Artistik mbetet një moment i veçantë në formimin e tij. “Ishim më të lirë”, kujton Ferraj, duke nënvizuar një klimë krijuese që, pavarësisht kufizimeve të kohës, i lejonte eksperimentimin. Ai skiconte në mënyrë abstrakte dhe gjeometrike, qasje që jo gjithmonë u mirëprit dhe shpesh u kritikua në lice. Megjithatë, kjo frymë kërkuese do të bëhej më vonë pjesë thelbësore e gjuhës së tij artistike.
Një kapitull më vete ishte realizimi i nudove, shpesh në mënyrë “underground”. “Ishte e vështirë të gjeje modele, por ia dolëm”, thotë ai. Vështirësitë nuk kanë ndryshuar shumë as sot: mungesa e modeleve dhe problemi i pagesës mbeten pengesa serioze. “Modelet mitike janë të rralla, ndërsa pagesa e tyre është qesharake”, shprehet Ferraj..
Rruga drejt artit europian nisi si një ëndërr e madhe. “U nisëm ta preknim ëndrrën europiane nga bulevardi për në Durrës”, rrëfen ai. Udhëtimi më i vështirë i jetës së tij ishte ai i viteve ’90, një udhëtim 11-orësh me anijen, i mbushur me pasiguri, shpresë dhe ankth. Këtë përvojë ai e jetësoi më vonë në pikturë, duke e kthyer udhëtimin fizik në një udhëtim simbolik drejt artit europian.
Pavarësisht vështirësive, Ferraj nuk hoqi dorë nga piktura dhe arti. Përkundrazi, këmbëngulja e çoi drejt ekspozimeve edhe në Itali, duke dëshmuar se arti i tij arrin të komunikojë përtej kufijve.
Në krijimtarinë e tij zë vend edhe një cikël i veçantë, i ndarë në 12 pjesë, i lindur nga një fiksim personal me numerologjinë. “Portretet i kisha të ndara në 12 pjesë të rëndësishme”, shpjegon ai, duke ndërtuar një strukturë ku çdo fragment mbart kuptim, ritëm dhe simbolikë.
Qëllimi i Viktor Ferrajit mbetet i qartë: të përcjellë mesazhe filozofike dhe jetësore përmes skulpturës. Vepra e tij nuk synon vetëm syrin, por edhe mendimin, duke e ftuar shikuesin në reflektim mbi njeriun, kohën dhe përvojën njerëzore./abcnews.al


