“Vikama e Tingullit” është libri më i fundit i shkruar Vera Ibrahimi, bashkëshortja e kompozitorit të njohur shqiptar, Feim Ibrahimi, i cili ka ndërruar jetë 26 vite më parë.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ajo ka treguar si i lindi ideja për këtë libër
“Në fillim ideja për të shkruar një libër për Feimin ka qene krejt spontane, kur shtëpia pushoi nga hyrjet dhe daljet pas largimit të tij, atëherë çfarë mund të bëja? Unë isha mësuar që të isha gjithëkund me Feimin dhe patjetër doja që të djeshmen që kisha kaluar me Feimin ta bëja të sotmen. Nuk desha kurrë që të mbetesha brenda katër mureve të shtëpisë, një grua e rëndomtë, në kuptimin e mirë të fjalës, jo pa bërë diçka për Feimin. Vërtetë kanë kaluar 26 vite që Feimi nuk është më, që për mua janë 26 ditë, 26 orë. Ai është prapë po aty”.
Sakaq, Vera me lot në sy është ndalur dhe te kuptimi i titullit, i cili është tepër i veçantë.
“Titullin “Vikama e Tingullit”, e kam marrë nga Feimi sepse ka shkruar në vitin 1995 nga konservatori i Salzburgut, ka shkruar një trio për një formacion jo të zakonshëm për violinë, violë dhe violinçelë, të cilën ai e quan vikamë. Poshtë kësaj trio që i ka vënë titullin ‘Vikamë’, ai shkruan fjalët e famshme të Migjenit “Dhe do të vijë heshtja se çdo vikamë fillon dhe mbaron me heshtje”. Të gjitha këto fjalë Migjeniane ai i ka në bazën e kësaj trios, sepse edhe vetë ai e shpjegon se çfarë është Vikama për Fehimin. Vikama është një thirrje e brendshme që i del nga një shpirt i trazuar që mendon, mendon, kërkon, kërkon, nuk e gjen përkrahjen e asaj vikame. Ka mbetur i vetëm, ka mbetur tragjik”./abcnews.al