Vijon protesta e banorëve, Basha: Qeveria po plaçkit qytetarët

schedule19:34 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 19:34 - 2 Dhjetor, 2018

Por një grup banorësh, që preken nga projekti i Unazës së Madhe, vazhduan protestën sot pasdite duke bllokuar edhe qarkullimin e mjeteve në rrugë.

Banorët e Unazës së Re kanë dalë sërish në rrugë me thirrje e parrulla kundër projektit të Unazës së Madhe. Kreu demokrat ishte mes tyre për t’i mbështetur, por edhe për të akuzuar qeverinë, e cila sipas Bashës po plaçkit qytetarët përmes këtij projekti.

“Qeveria po sillet si bandë. Po sillet si bandë për t’i përçarë dhe për t’i frikësuar banorët, sepse halli i vetëm i Edi Ramës, siç ju thashë, nuk është zbatimi i ligjit, po është si ta çojë deri në fund aferën e vjedhjes së miliona eurove këtu tek Unaza”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha renditi disa pyetje për të cilat qeveria sipas tij, nuk ka bërë dhe nuk po bën transparencë.

“Si u bë projekti, çfarë vlere ka, pse po harxhohen këtu aq para sa ç’harxhohen në vit për buxhetin e arsimit në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që pjesë të tjera të Unazës nuk ekzistojnë akoma? Pse po investohet në këtë pjesë të Unazës që ekziston, pse nuk pati garë, pse është tërhequr kompania Vëllezërit Hysa në të tre lotet apo ka bërë ofertë dhe oferta është zhdukur? Pse një nga kompanitë është e regjistruar në parajsë fiskale, kush fshihet pas këtij regjistrimi? A fshihet vetë Edi Rama apo familjarë të tij pas kompanisë së regjsitruar në parajsë fiskale në Delaware të SHBA? Sa milionë euro të taksapaguesve shqiptarë që do të përfitohen nga kjo vjedhje do të përfundojnë në kontot bankare të kësaj parajse fiskale? Për çfarë do të përdoren”, theksoi ai.

Basha akuzoi prokurorinë dhe shefen e saj Arta Marku se qëllimisht po neglizhojnë kallëzimin e bërë nga qytetarët, për vjedhjen, sipas tij, nga pushtetarët përmes projektit të kësaj rruge. Kreu demokrat tha gjithashtu se shoqërimi në polici i 5 protestuesve të shtunën është bërë me urdhër politik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!