Ende trazira në Katalonjë ku protestuesit vijojnë të mbushin rrugët e qyteteve kundër dënimit të liderëve katalanas pro pavarësisë. Policia spanjolle përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat e dhunshme.
Policia spanjolle përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shuar trazirat e shpërthyera në rrugët e Barcelonës. Forcat special në profile e tyre në Tëitter shkruajnë se përpara selisë së përgjithshme të policisë janë verifikuar akte vandalizmi shumë të rënda me disa vatra zjarri ende aktive. Banorëve iu është kërkuar që të mos i afrohen zonës.
Janë të paktën 89 të plagosurit gjatë protestës së mbrëmjes së të premtes në Katalonjë sipas të dhënave të urgjencës, të cituar ngë “La Vanguardia”. Në Barcelonë të plagosurit janë 41 ndërsa pesë prej tyre janë transportuar në spital. Policia konfirmoi se dy agjentë policie kanë mbetur të plagosur ndërsa janë arrestuar 31 persona.
Ministri i Brendshëm spanjoll u shpreh se janë 400 personat e organizuar për të kryer akte dhune në një zonë të caktuar të Barcelonës. Ai theksoi se ndaj kësaj dhune do të reagohet me të gjithë forcën dhe ata që sulmojnë forcat e policisë rrezikojnë deri në 6 vjet burg.
Presidenti i Katalonjës Quim Tora, ka kërkuar një mbledhje urgjente të qeverisë për të analizuar situatën aktuale në vend. Qeveria katalanase ka kërkuar izolimin e grupeve të dhunshme dhe u bëri apel qytetarëve të protestojnë në mënyrë civile./ABC News Albania