Ish-sulmuesi i Interit, Christian Vieri, i ka thurur elozhe trajnerit Antonio Conte, për fillimin perfekt të zikaltërve në Serie A. Interi i ka fituar të gjashtë ndeshjet që ka luajtur këtë sezon në kampionat dhe është në krye të rendijtes, me dy pikë më shumë se Juventus.
”Conte po i jep Interit një karakter të jashtëzakonshëm. Ai ka forcë të madhe dhe guxim. Tani ka ndeshjen me Juventusin për të luajtur, një ndeshje të cilën do e shikojë e gjithë bota,” tha Vieri në një intervistë për “Tiki Taka”.
Vieri, i cili kaloi gjashtë vite te Interi (1999-2005), ndau edhe opinionin e tij përpara ndeshjes së radhës të Interit kundër Barcelonës në Champions League: “Interi mund të fitojë kundër Barcelonës, pasi nuk do të luajë Lionel Messi. Conte e ka përgatitur ekipin e tij. Kundër Sampdorias, ata luajtën një lojë të shkëlqyeshme dhe këtë vit është e vështirë të mposhtësh Interin”./abcnews.al