Vidhnin kur pronarët ishin me pushime, arrestohet “hajduti” i katërt

schedule15:20 - 10 Shtator, 2020

schedule 15:20 - 10 Shtator, 2020

Shkon në 4 numri i të arrestuarve në operacionin “Sezoni”, pas arrestimit të autorit kryesor të vjedhjeve në disa banesa të ndryshme në Tiranë.

Policia e shtetit ka njoftuar se A. R., 45 vjeç, banues në Durrës, është arrestuar pasi dyshohet si autori kryesor i disa vjedhjeve.

Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ditën e djeshme policia bëri të mundur arrestimin e 3 të tjerëve, ndërkohë që gjithsej janë 5 persona të cilët akuzohen si autorë të të paktën 7 vjedhjeve të dokumentuara të disa banesave në Tiranë.

Vjedhjet kryheshin në mes të ditës, pa u fshehur, pa maska dhe në kohën kur pronarët e shtëpive ishin larguar për pushime.

Hajdutët, mes tyre dhe një grua, pasi siguroheshin se pronarët nuk ndodheshin aty, vidhnin banesat, kryesisht kasaforta, bizhuteri, para dhe sende me vlerë.

Njoftimi i Policisë: 

Vijon operacioni “Sezoni”, shkon në 4 numri i të arrestuarve.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vjedhjeve, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Sezoni”.

Kapja e 45-vjeçarit, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale euro, lekë dhe sendet e vjedhura në banesa.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Sezoni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë, ka vijuar puna me hetime të thelluara, për kapjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. R., 45 vjeç, banues në Durrës, autori kryesor i vjedhjeve, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, vidhte kasaforta, sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet me vlerë të vjedhura në banesa, shuma të konsiderueshme parash (euro dhe lekë), veshje, 3 aparate celular, njëra prej kasafortave të vjedhura, 1 automjet dhe sendet që autorët përdornin për të kryer vjedhjet.

Po në vijim të operacionit u bë i mundur dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit E. Ç., ku autorët kanë marrë bizhuteri dhe një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e shtetases që është shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!