Një banesë është shkrumbuar nga flakët mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Xibër – Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit.
Banesa e familjes së Halit Mustanit është shkrumbuar e gjitha nga flakët që janë konstatuar rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm.
Për fat të mirë, nuk ka patur dëme në njerëz, por dëmet materiale janë të mëdha.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë kanë qenë tre anëtarë të familjes.
Ndërhyrja e familjarëve dhe banorëve të zonës ka qenë e paefektshme pasi flakët e ndihmuara edhe nga era e fortë, kanë shkrumbuar gjithçka në pak minuta.
5 anëtarët e kësaj familjeje kanë mbetur në qiell të hapur, ndërsa Bashkia Klos, ka dërguar momentalisht një çadër dhe bazë ushqimore.
Një tjetër zjarr u shënua mbrëmjen e së enjtes në fshatin Batërr e Madhe të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit. Flakët shkrumbuan stallën e lopëve të Petrit Zenunit.
Për fat të keq, tre lopët dhe një mushkë, u dogjën të gjalla brenda stallës së bagëtisë.
Vetë Petriti tregon se zjarrin e kanë konstatuar rreth orës 23:00 të mbrëmjes, por gjithçka është djegur shumë shpejt, pa patur mundësinë për t’i nxjerrë kafshët jashtë.
Dëmi ekonomik për këtë familje është shumë i madh, ndërsa ai kërkon ndihmën e shtetit pasi e gjithë pasuria iu dogj nga zjarri.
Për fat të mirë edhe në këtë rast nuk ka patur dëme në njerëz.
Ndërkohë në të dy këto raste, specialistët e emergjencave civile në Bashkitë Klos e Mat kanë nisur punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara./abcnews.al