POGRADEC- Një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Starovë. Zjarri ka nisur fillimisht nga një kasolle me dërrasa e ndodhur ngjitur me objektin dhe më pas është përhapur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas dyshimeve të para, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes, tre motrat dhe nëna e tyre ndodheshin jashtë banesës, duke shmangur një tragjedi të mundshme.
Flakët kanë rrezikuar edhe një banesë tjetër pranë, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëses ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe policia, ndërsa po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit dhe vlerësimin e dëmeve.


