Kanë dalë pamjet e fundit të vrasësit të deputetit britanik para se të qëllonte për vdekje David Amess. 25-vjeçari u pa duke ecur ngadalë me një çantë shpine pranë shtëpisë së tij të premten në mëngjes. Mendohet se ai ishte duke ecur drejt stacionit të trenit Gospel Oak kur u filmua nga kamerat e një dyqani në Highgate Road në orën 8.44 të mëngjesit.
Në pamjet e siguruara nga Sky News, ai shihet duke ecur me qetësi në rrugë i veshur me pantallona të zeza dhe një pallto të gjelbër.
Pak orë më vonë, ai u arrestua për vrasjen e deputetit konservator dhe babait të pesë fëmijëve. Policia po heton lëvizjet e Ali para se të kryente sulmin gjakftohtë dhe po heton nëse ai ka hipur në një tren në stacionin aty pranë për të udhëtuar në Leigh-on-Sea, Essex.
Menaxheri i dyqanit tha se policët kishin kërkuar të shihnin kamerat e sigurisë të shtunën në mëngjes para se të dorëzonte një kopje të videos. Sir David u godit me thikë për vdekje të premten pranë Kishës Metodiste në Belfairs./abcnews.al

