Skënderbeu dhe Partizani kanë barazuar me shifrat 1-1 në Korçë pas një ndeshje mes të barabartësh dhe me mjaft tension e emocione në këtë javë të dytë të Superiores.
Pjesa e parë, megjithëse e luftuar, krijoi vetëm një rast të rrezikshëm, kur Tedi Cara goditi një goditje dënimi shumë bukur, por portieri i Skënderbeut, Bekim Rexhepi u përgjigj në mënyrë perfekte dhe devijoi topin në trekëndëshin e majtë të tij.
Edhe pjesa e dytë ishte me të njëjtin ritëm, por pati gola. Ishte Tedi Cara që u shfaq protagonist dhe i dribloi të gjithë, para se të merrte një pengim në zonë. Pasi e pa vetë në VAR, gjyqtari vendosi për penallti.
Stenio Junior e mori përsipër dhe nuk gaboi përballe portierit Rexhepi, duke tundur rrjetën në minutën e 56-të nga pika e 11 metrave. Me të nisur topi nga mesi i fushës Damchevski dhe Alban Hoxha nuk u morën vesh me njëri-tjetrin dhe i hapën rrugë Elvi Berishës për të shënuar golin e barazimit.
Pas këtyre dy rrjetave, protagonizmi i takoi Partizanit, por sërish skuadra e Ilir Dajës nuk arriti të marrë fitoren e parë në këtë edicion të Abissnet Superiore. I kënaqur me siguri Skënderbeu me këtë rezultat, pasi i merr pikë një favoriti për titullin. /abcnews.al
ABISSNET SUPERIORE, JAVA 2
Skënderbeu-Partizani 1-1
Shënues: Berisha 57’, Zhunior (pen) 56’