Myrto Uzuni kaloi një pasdite fantastike. Sulmuesi i kombëtares kuqezi shënoi dy herë dhe i dhuroi fitoren Lokomotivës së Zagrebit në përballjen shtëpiake me Istra. 24-vjeçari nga Berati realizoi dy herë brenda tre minutave, konkretisht në minutën e 63-të dhe 66-të.
Si titullar e nisën sfidën edhe Mersinaj, Çokaj dhe Kastrati, teksa kjo fitore e ngjit Lokomotivën në vend të pestë me 34 pikë, një pikë larg zonës që të kualifikon në Europa League. Me dy golat e sotëm Uzuni është ngjitur në shifrën e 5 golave në kampionat gjatë këtij sezoni me skuadrën kroate.
Lojtari shqiptar kreu një driblim shumë të bukur brenda zonës te goli i parë, u lirua mirë nga mbrojtja mike dhe zhbllokoi shifrat. Uzuni tregoi nuhatjen e tij edhe te goli i dytë, aty ku devijoi me kokë drejt portës së Istrës për të vulosur fitoren e Lokomotivës. /abcnews.al