VIDEO/ Uruguaji “trondit” Argjentinën, Kolumbia “prezanton” Brazilin me humbjen e radhës

schedule09:36 - 17 Nëntor, 2023

schedule 09:36 - 17 Nëntor, 2023

Gjithçka ka shkuar ters për “gjigantët” e futbollit latin, me Argjentinën e Brazilin, që kanë humbur përballjet e vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror të futbollit, “Kupa e Botës 2026”, duke zhgënjyer jo pak futbolldashësit e këtyre dy përfaqësueseve.

Kështu, në “Estadio Alberto J. Armando”, të Buenos Airesit, përfaqësuesja e Uruguajit i ka dhënë fund serisë së 14 fitoreve radhazi të “albiceleste”-ve, të Argjentinës, duke i mundur këta të fundit me rezultatin e pastër, 2 me 0. Nga një gol, në secilën pjesë mjaftoi për djemtë e teknikut, Marcelo Bielsa, me “katalanasin”, Ronaldo Araujo dhe “bomberin” e Liverpool, Darëin Nunez, që shënuan nga një gol, respektivisht, në minutat 41’ e 87’, duke i shkaktuar humbjen e papritur kampionëve të botës në fuqi.

Në krahun tjetër, Kolumbia ka “përmbysur” gjithçka në “Estadio Metropolitano Roberto Melendez”, të Barankijës, përballë 5 herë kampionëve të botës, Brazilit, duke i shkaktuar kombëtares “Seleçao”, humbjen e dytë radhazi, gjatë këtyre kualifikueseve. Golin e parë të sfidës e gjetën pikërisht këta të fundit, me “fantazistin” e Arsenal, Gabriel Martinelli, që shfrytëzon mirë një pasim të Vinicius Junior, për të çuar topin në rrjetë, që në minutën e 4’-t, por një dopietë e “yllit” të Liverpool, Luis Diaz, në minutat 75’ e 79’ shkatërroi gjithçka për djemtë e teknikut Diniz, duke “vulosur” disfatën e radhës.

Përsa i përket renditjes së përgjithshme, Brazili tashmë pozicionohet në vendin e 5-të të renditjes, me 1 pikë më pak se Venezuala dhe 2 më pak se Kolumbia e vendit të 3-të. Në krahun tjetër, Uruguaji pozicionohet në vendin e 2-të të tabelës, me 9 pikë, ndërsa Argjentina, kampionja e botës në fuqi mbetet në vendin e parë me plot 12 pikë. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Argjentinë 0 – 2 Uruguaj

Kolumbi 2 – 1 Brazil

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!