TIRANË– Para Festës së Pashkës, besimtarët katolikë janë mbledhur dhe kanë nisur të kremtojnë mbrëmjen e kësaj të premteje “Udhën e Kryqit” në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Me lutje dhe duke ndezur qirinj, besimtarët përkujtojnë kalvarin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe udha e tij me kryqin drejt Golgotës. E premtja para Festës së Pashkëve njihet si e “Premtja e Zezë”.
Besimtarët katolikë presin të dielën e Pashkës, e cila njihet ndryshe si dita e ringjalljes, duke kaluar më parë nga Udha e Kryqit të së Premtes.
Imzot Arjan Dodaj nga sheshi Nënë Tereza përcolli mesazhe paqejeje, ndërsa u lut për më shumë mbarësi për besimtarët.
“Jezusi është rruga dhe ne do të ecim me të. Ka ecur duke shëruar të sëmurët”, tha ai.
Sakaq, besimtarët e krishterë u lutën për dashuri, paqe, mirësi dhe begati në familjet e tyre.
Një meshë e tillë është mbajtur edhe në qytetin e Shkodrës. Të shumtë kanë qenë qytetarët, të cilët kanë zgjedhur të kujtojnë kalvarin e vuajtjeve të Jezu Krishtit. ABC News sjell pamjet festive në prag të festës së Pashkës, nga kryeqendra e veriut.
/ abcnews.al