Mbyllja e vend-depozitimit të Porto Romanos, ka krijuar kolaps në menaxhimin e mbetjeve urbane që gjenerohen në Bashkinë e Durrësit. Depozitimin e tyre në vendgrumbullimin e mbetjeve në Manëz ka hasur në rezistencën e banorëve të zonës.
Banorët e Njësisë Administrative në Manëz kanë protestuar për t’i kërkuar bashkisë që të ndalojë këtë masakër mjedisore që po i bëhet zonës së tyre, që përveç hedhjes së mbetjeve fare pranë banesave të tyre, digjen po aty, duke krijuar ndotje të madhe.
Banorët kanë bllokuar rrugën duke mos lejuar të kalojë asnjë zjarrfikësen për të shuar zjarrin te mbeturinat. Një re e madhe tymi dhe një erë e rëndë ka pushtuar zonën duke i nxjerrë banorët jashtë shtëpisë së tyre.