VIDEO/ “Tregoni respekt”, Egbo replikon me gazetarët: Nuk jemi më dobët se vjet!

schedule13:17 - 25 Tetor, 2020

schedule 13:17 - 25 Tetor, 2020

Tirana, e këtij sezoni, ka humbur diçka. Kjo është ajo që e vënë re edhe tifozët, të cilët kanë pasur mundësinë të ndjekin ndeshjet miqësore në TV dhe të arrijnë në përfundimin që prurjet nga merkato nuk e kanë rritur cilësinë e skuadrës që vjet doli kampione. Mjafton të lexosh komentet e tifozëve në faqen zyrtarë të Tiranës në “Facebook” dhe kupton që ka shumë pakënaqësi ndaj ekipit.

Sigurisht edhe presioni është i madh në kampin bardheblu, pasi bëhet fjalë për klubin më të titulluar në vend. Trajneri Emanuel Egbo nga ana tjetër ka filluar gjithashtu ta ndjejë presionin, edhe pse mundohet të jetë i matur dhe në asnjë moment të mos e hedhë poshtë ekipin. Pas miqësores me Laçin, pyetja “nëse Tirana është dobësuar në repartin e sulmit” e ka mërzitur pak nigerianin.

Sigurisht nuk mund ta japë një përgjigje kaq herët, por zgjedh të replikojë me gazetarët dhe të dalë në mbrojtje të ekipit aktual. Aktualisht ka një bindje të gjithanshme se largimi i Michael Ngoo ka lënë një boshllëk të madh në sulm, por jo te drejtuesit e Tiranës. Derricks Sasraku mendojnë se do të shënojë rregullisht dhe mbetet të shihet në fushë gjatë kampionatit. Deri atëherë duhet pritur, ndërkohë që më poshtë mund të ndiqni edhe replikat e Egbo me gazetarët.

– A është kjo Tiranë më e dobët në sulm se vjet?
Më e dobët… Para se të bëni pyetjen, ju duhet të tregoni pak respekt për ekipin që është tani. E quani të dobët, nuk e di si e nxirrni këtë.

– Nuk ju thashë e dobët, ju thashë a është më e dobët. Po kërkoj një krahasim…
Domethënë i bie që Tirana vjet ishte e dobët?

– Jo.
Atëherë nuk është më e dobët. E kam thënë, do e shohim gjatë gjithë kampionatit. Ka lojtarë të rinj që janë bashkuar me ekipin dhe duan kohën e vet për t’u ambientuar. Derisa nuk janë ambientuar dhe kemi edhe lojtarë mangët, duhet të presim. Fakti që kemi humbur ndeshjen sot nuk do të thotë që Tirana është më e dobët. Po të kishim më shumë lojtarë, do të ishte në rregull. Edhe kemi fituar dhe kemi bërë ndeshje të mira, atëherë mendoj se jemi në rregull. Po të kishim më shumë lojtarë, do ishim në rregull. Ekipi tjetër ishte pak a shumë me lojtarët e tyre. Kishim 3-4 lojtarë formacioni jashtë dhe nuk mund ta quaj ekip i dobët. /Vladimir Prenga/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!