Pritjes i ka ardhur fundi dhe në orën në vijim, “Katalanasit” e Barcelona do të prezantojnë 18-vjeçarin e talentuar brazilian, Vitor Roque, si lojtarin e tyre më të ri, lojtar, i cili pritet të shtojë jo pak cilësinë në sulmin e “Blaugranave”, sidomos në një kohë kur Raphinha e Lewandowski, nuk po japin më si dikur.
Mirëpo, para prezantimit, një ngjarje komplet e pazakontë ka nodhur në “mitikun” spanjoll të “Camp Nou”, teksa në një video, të postuar nga “Katalanasit” në rrjetin social, “X”, shihet që nëpër stadium sillet i lirë, një tigër.
Ndonëse mund të duket e çudtishme apo e frikshme, tigri lidhet me prezantimin e 18-vjeçarit brazilian, i cili në vendin e tij njihet me nofkën “Tigri” e mesa duket ky detaj nuk i ka shpëtuar as “Blaugranave”, të cilët kanë vendosur t’i bëjnë një mirëseardhje spektakolare “yllit” të tyre të ri.
Ndërkaq, kujtojmë se për kartonin e Vitor Roque, Barcelona derdhi plot 40 milionë euro, në arkat e skuadrës braziliane, të Athletico Paranaense e përsa i përket performancën në fushën e blertë, 18-vjeçari arriti shifra “të frikshme” këtë sezon, teksa në 45 paraqitjet e zhvilluara për brazilianët arriti të shënojë plot 21 gola, si dhe të dhurojë 6 asistime. /i.m /abcnews.al
SHIKONI PAMJET:
What happens in Barcelona… ? pic.twitter.com/xkye8mco7V
— FC Barcelona (@FCBarcelona) December 26, 2023