Kjo është tavolina ku ishin ulur Armand Tomorrica 32 vjeç dhe Renaldo Mançe 31 vjeç, në momentin kur ndodhën të shtënat mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit, në verandën e një lokali.
Sipas informacioneve paraprake, një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, teksa i plagosur mbeti dhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha 19 vjeç.
Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit./abcnews.al



