VIDEO/ Talente dhe gjak i ri, Juventusi projekton goditjen e trefishtë

schedule17:13 - 7 Maj, 2020

schedule 17:13 - 7 Maj, 2020

Drejtuesit e Juventusit kanë një marrëdhënie shumë të mirë me Mino Raiolën. Agjenti i njohur zotëron të drejtat ligjore të shumë futbollistëve, qofshin ata emra të mëdhenj apo talente premtues. Kampionët e Italisë kanë vendosur të investojnë te lojtarët e rinj.

I pari është Gianluigi Donnarumma. 21-vjeçari mbron prej vitesh portën e Milanit dhe është kthyer në titull te kombëtarja italiane. Kontrata me kuqezinjtë i përfundon verën e ardhshme, rinovimi vështirë të ndodhë dhe Mino Raiola, agjenti i tij, po e shtyn drejt kalimit në Torino.

Negociatat me portierin janë në rrugë të mbarë raporton Sportmediaset. Juventusi kërkon edhe një tjetër “nder” nga Raiola dhe ai quhet Calvin Stengs. 21-vjeçari është pjesë e AZ Alkmaar, aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit dhe ka shënuar 10 gola këtë sezon.

19 nëntorin e kaluar debutoi me kombëtaren e Holandës dhe klubi italian e cilëson si zëvendësuesin perfekt të Douglas Costa. Dëshira e tretë është Kaio Jorge. Braziliani është 18 vjeç, aktivizohet në majën e sulmit dhe është një prodhim i Santos. Të gjithë e cilësojnë si Neymar i ri dhe Fabio Paratici po punon fort për ta transferuar nën urdhrat e Sarrit. /abcnews.al