Jemi në kohë festash, surprizat e dhuratat e shumta janë një gjë normale në këtë periudhë dhe mjafton fare pak për t’i dhuruar emocione të paharrueshme dikujt. Mesfushori dhe kapiteni i Manchester City, Fernandinho ka kryer një gjest shumë të bukur për Krishtlindje.
Braziliani ka bërë një bisedë me video me Adam, 9-vjeçarin që është një tifoz i thekur i ekipit të Pep Guardiolës. Vogëlushi ka kryer një ndërhyrje delikate në zemër kohët e fundit dhe gradualisht po e merr veten.
Befasi dhe lumturi e madhe tek Adam në momentet që kryhet lidhja. Ndoshta priste që në anën tjetër të kompjuterit t’i dilte doktori, por ai është një nga idhujt e tij. “Përshëndetje Adam, si po ja kalon? Më dukesh disi i tronditur.
Ti vazhdon të shërohesh, por po të them që një pako të pret mbas derës“, deklaron futbollisti latin. Pako kishte disa dhurata të ndryshme për tifozin e veçantë, teksa City ka lajmëruar se Adam do të bëhet maskota e klubit në momentin që do të bëhet mirë dhe do të marrë veten plotësisht. /abcnews.al