Dortmund ia del të fitojë “finalen” me Leipzig në “Signal Iduna Park” dhe i dhuron Bayern Munchen titullin e nëntë radhazi. Verdhezinjtë mposhtën 3-2 ekipin e vendit të dytë dhe siguruar tre pikë jetike për objektivin Champions League. Pjesa e parë dhuroi vetëm një gol edhe atë e shënuan vendasit në minutën e shtatë.
Gol shumë i bukur i Marco Reus dhe Dortmund në avantazh falë rrjetës së kapitenit. Fraksioni i dytë ishte plot gola dhe emocione. Jadon Sancho lëvizi bukur në krahun e majtë në minutën e 51-të dhe dërgoi topin në rrjetë pas një goditje inteligjente.
Djemtë e Julian Nagelsmann reaguan dhe gjetën golin e parë pas një ore lojë. Mbrojtësi Lukas Klostermann kërceu më lart se të gjithë pas një goditje këndi dhe shkurtoi rezultatin. Leipzigu mori zemër dhe ia doli të barazojë takimin në minutën e 77-të.
Dani Olmo finalizoi një aksion fantastik të skuadrës udhëtuese dhe barazim 2-2. U duk se sfida përfundoi pa fitues, por Dortmundi gjeti forca dhe ia doli të realizojë golin e fitores tre minuta përpara fundit të ndeshjes.
Kombinime të bukura mes Guerreros dhe Jadon Sanchos, dhe finalizim i talentit anglez, i cili shënon një nga golat më të rëndësishëm të sezonit. 3-2 për ekipin vendas, që ngjitet përkohësisht në vend të katërt me dy pikë më shumë se Eintracht (ka luajtur një takim më pak).
Wolfsburg nuk hasi probleme përballë Union Berlin, kundërshtar të cilin e mposhti 3-0 në shtëpi. Vendi i tretë për “Ujqit”, të cilët janë shumë afër kualifikimit në Champions për sezonin e ardhshëm.
0-0 u mbyll përballja Werder Bremen-Bayer Leverkusen, teksa Hoffenheim-Schalke 04 përfundoi me suksesin 4-2 të skuadrës vendase. “Blutë Mbretërorë”, të cilët do të luajnë në Bundesliga 2 sezonin e ardhshëm, kaluan në avantazh të dyfishtë.
Shkodran Mustafi realizoi golin e dytë të Schalkes në limitet e pjesës së parë, por Hoffenheim zhvilloi një pjesë të dytë fantastike, realizoi katër gola dhe mori tre pikët pas triumfit me “poker”. /abcnews.al