Vitet kalojnë dhe Manuel Neuer nuk ndalet së dhuruari pritje fantastike. Bayern Munchen mposhti 3-2 Dortmundin në finalen e Superkupës së Gjermanisë, duke siguruar trofeun e pestë për vitin 2020 pas titullit, Kupës së Gjermanisë, Champions League dhe Superkupës së Evropës.
Rikthehemi te kapiteni i bavarezëve, i cili kreu një pritje fantastike ndaj Erling Haaland në pjesën e dytë të sfidës. Ishte minuta e 58-të dhe Erling Haaland kishte barazuar (2-2) tre minuta më parë. Bomberi norvegjez shfaqet sërish i vetëm përballë “gardianit” 34-vjeçar.
Minuta të këqija për mbrojtjen e Bayernit, 20-vjeçari nordik niset i pashqetësuar drejt portës kundërshtare, por Neuer frenon goditjen e tij me një pritje klasi me dorën e djathtë. Bayerni realizoi më pas golin e fitores me anë të Kimmich dhe festoi trofeun e pestë për këtë vit. /abcnews.al