Mbyllet pa fitues derbi i Romës dhe Lazio i jep fund ecurisë prej 11 fitoreve rresht në Serie A, por ia del gjithsesi të marrë një pikë të rëndësishme. Verdhekuqtë luajtën më mirë dhe e kërkuan më shumë fitoren, por Strakosha i vuri drynin portës pas gafës në pjesën e parë.
Portieri shqiptar kreu një dalje të pallogaritur mirë në minutën e 26-të dhe Edin Dzeko shënoi me kokë. Gafa e 24-vjeçarit u kopjua nga homologu i tij te Roma tetë minuta më pas. Askush nuk arrin ta kuptojë çfarë po tentonte të bënte portieri spanjoll dhe Acerbi përfitoi duke ndezur festën bardhekaltër në “Olimpico”.
Strakosha vijoi betejën kundër Dzekos në pjesën e dytë, por boshnjaku u dorëzua para pritjeve fantastike të shqiptarit. Roma fitoi një penallti në minutën e 51-të, por kryesori Calvarese e anuloi pasi pa pamjet në VAR. Në fund barazim 1-1 që nuk i shërben asnjë ekipit, por të paktën u evitua humbja. /abcnews.al
Roma – Lazio 1-1
(Dzeko 26′ / Acerbi 34′)

