Në anën e saj kishte gjithë fatin e botës një grua, e cila ishte “fiksuar” në celularin e saj, ndërkohë që kishte zhvilluar një shpejtësi veçanërisht të madhe me makinën e saj. Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit është kthyer në një problem shumë të madh, duke qenë një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja veçanërisht të rënda.
Pavarësisht çdo fushate informuese për të luftuar këtë fenomen, si dhe një mori incidentesh të dhimbshme, shumë drejtues mjetesh vazhdojnë të “ngulin” sytë te smartfonët e tyre, duke shpërfillur rreziqet që sjell kjo praktikë e dënueshme.
Një grua për pak sa nuk e pagoi shtrenjtë “varësinë” e saj ndaj celularit, e cila përdorte pajisjen e saj duke vozitur me shpejtësi 186 km/h. Siç shihet edhe në videon e publikuar në Reddit, gruaja duket se ka humbur në celularin e saj, për pasojë nuk arrin të shoh në kohë një automjet përpara në korsinë e saj. Kur e kupton prezencën e mjetit të bardhë tronditet vërtet dhe bën lëvizje paniku pas timonit për të shmangur përplasjen që ndoshta do të kishte pasoja tragjike.
Fatmirësisht për të, në anën e djathtë të rrugës kishte një rënie të dheut, e cila i siguronte hapësirën e nevojshme për të ndaluar makinën e saj me siguri relative.
Kujtojmë që në bazë të hulumtimeve, mbajtja e celularit gjatë drejtimit të makinës jo vetëm që nuk e lejon të ketë kontrollin e plotë të makinës, por edhe rrit kohën e reagimit me afërsisht 0.7 sekonda.
Pra, në rast se një shofer lëviz me 60 km/h , në këto 0.7 sek. makina do të përshkojë një distancë të barabartë me 12 metra. Kjo është një distancë që mund të duket e vogël, por është më se e mjaftueshme për të ndodhur një aksident tragjik rrugor./abcnews.al