Një incident i rëndë është shënuar pasditen e sotme gjatë ndeshjes së basketbollit mes Teutës dhe Besëlidhjes, e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur fillimisht mes lojtarëve në fushë, për t’u përshkallëzuar më pas edhe me përfshirjen e stafeve teknike dhe lojtarëve nga stolat përkatës. Situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa në sherr janë përfshirë edhe disa tifozë të pranishëm në sallë.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e Policisë së Durrësit, të cilat kanë shoqëruar disa persona për sqarimin e rrethanave.
Burime bëjnë me dije se mes të shoqëruarve ka lojtarë nga të dyja skuadrat, si edhe tifozë që dyshohet se janë përfshirë në konflikt.
Aktualisht, autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që Policia e Durrësit të dalë me një njoftim zyrtar në vijim.


