Rrofshin festat, por mbi të gjitha politikanët…

schedule21:08 - 28 Dhjetor, 2017

schedule 21:08 - 28 Dhjetor, 2017

Ministrja Olta Xhaçka kishte organizuar një festë me gazetarët, por shumë njerëz të medias nuk mundën të shkojnë. Në ftesën e ministres së Mbrojtjes shkruhej se pritja do të mbahej ditën e premte, më datë 27 Dhjetor, kur kjo datë ishte ditën e mërkurë.

Moderatorët e emisionit “STOP” e falenderojnë ministren Xhaçka për ftesat dhe thonë se pavarësisht gabimit, ata do të jenë ditën e premte në Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar ato çka u premtoi në ftesa: miq, verë dhe muzikë të mirë.

Politikanë e ministra janë “sulur” këto ditë në ambiente fëmijësh e të moshuarish, për t’u shfaqur vetë sërish në ekrane. Si në çdo datë të shënuar, Erion Veliaj, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka e Fatmir Xhafa nuk harruan të privatizojnë festat, duke u vendosur nën dritat e prozhektorëve.

“Ka një aktivitet për të ndihmuar njerëzit në nevojë nga organizatat, që merren çdo ditë të vitit me këtë, por ka edhe një tentativë ‘mistrece’ në përgjithësi, nga të gjithë ministrat, që mundohen të përfitojnë dhe t’i marrin festat. Si kapiten Grinçi që mori Krishtlindjet dhe këta, ku ka podiume festash, vijnë e marrin fëmijë në krahë, puthin pleq, u ndajnë supë etj”, thotë Saimir Kodra.

Secili zgjedh mënyra të ndryshme për t’iu afruar publikut e për t’iu marrë votat, u shprehen moderatorët Kodra dhe Zenelaj, duke rënë dakord se faji është i personave që i besojnë.

“Këto festa kanë një qasje tjetër brenda nesh. Nuk duhet të jenë vetëm fëmijë e përqafime nëpër ekrane, por të ndihmojmë vërtetë ata që kemi afër, njerëzit që kanë nevojë, me aq sa mundemi të gjithë”, tha Kodra, duke i bërë apel kështu të gjithëve të kontribuojnë me sadopak për të ndihmuar personat e gjendur në vështirësi.

/tvklan.al