Edhe pse gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse dhe trupat e ushtrisë kanë mbajtur nën monitorim pyllin e Poros, pranë hidrovorit, rreth mesditës flakët janë riaktivizuar sërish.
Në terren ndodhen dhjetëra efektivë zjarrfikës dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij. Prej gati 48 orësh, flakët kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.
Shefi i zjarrfikësve, Luan Kapaj, thotë se situata mbetet problematike dhe era e fortë ndikon në përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është shumë e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje./abcnews.al

