Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura të shiut. Në shumë akse rrugore u krijuan vështirësi për qarkullimin e mjeteve si pasojë e pranisë së ujit dhe renie të inerteve në rrugë.
Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës u shemb në një masiv dhjetëra metërkubësh duke bllokuar për disa kohë qarkullimin e mjeteve. Bashkia e Kukësit angazhoi mjetet e rënda për pastrimin e ketij masivin dhe rivendosjen e qarkullimit. Rënie inertesh e gurë pati edhe në akset e tjera rrugore që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fusharrëzin, Bajram Currin me Luginën e Valbonës, Lekbibaj etj.
Në Shtiqen është përmbytur një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore në afërsi të aeroportit të Kukësit. Shkak është bërë shkarkimet e ujërave nga aeroporti dhe rruga kryesore. Në disa fahatra ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Reshjet vijojnë me intensitet të lartë duke krijuar vështirësi edhe në Rrugën e Kombit për shkak të pranisë së ujit. Policia rrugore është në patrullim për monitorimin e situatës dhe këshillimin e drejtuesve të mjeteve për të treguar kujdes të shtuar gjatë udhëtimit./abcnews.al


