Atalanta siguron kualifikimin në raundin e 1/16 në Champions League. Ekipi italian luante për dy rezultate, por ia doli të fitojë 0-1 takimin jashtë fushe ndaj Ajax, duke e mbyllur në vend të dytë garimin në grupin D.
#UCL – RESULTS:
Midtylland 1-1 Liverpool
Ajax 0-1 Atalanta
PSG 5-1 Istanbul Basaksehir pic.twitter.com/i1dMOsL65d— SuperSport ? (@SuperSportTV) December 9, 2020
Berat Gjimshiti e luajti sfidën të plotë dhe bashkë me shokët e tij arritën për të dytin vit radhazi të jenë mes 16 skuadrave më të mira në Europë. Ajax tentoi të gjente golin e fitores, sidomos në pjesën e dytë, por atë e realizuan miqtë nga Bergamo.
Minuta e 85-të, asist i zviceranit Freuler dhe finalizim i Luis Muriel. Sulmuesi kolumbian iu shkëput bukur mbrojtjes vendase, shmangu portierin dhe dërgoi topin në rrjetë.
“Harkëtarët”, të cilët mbeten me dhjetë lojtarë në minutën e 81-të (u largua me të kuqe 18-vjeçari Ryan Gravenberch), do të vazhdojnë në Europa League si ekipi i vendit të tretë. Takimi tjetër i grupit D, Midtjylland-Liverpool, përfundoi në barazim 1-1.
Momo Salah kaloi kryesuesit e grupit në avantazh që në pjesën e parë, teksa nordikët barazuan sfidën në pjesën e dytë. Alexander Scholz ktheu në gol një penallti në minutën e 62-të, duke i dhuruar një pikë ekipit të tij.
PSG nuk u përmbajt ndaj Basaksehir, sfidë që u ndërpre në minutën e 16-të mbrëmjen e kaluar, për shkak të ofendimeve raciste të arbitrit të katërt ndaj zv trajnerit të kampionëve të Turqisë.
5-1 fituan nënkampionët dhe e mbyllën në vend të parë të grupit H. Neymar zgjidhi gjithçka me dy gola në pjesën e parë, teksa erdhi edhe goli i Kylian Mbappe në minutat e fundit të fraksionit të parë të ndeshjes.
Dy yjet e sulmit të PSG-së, realizuan edhe nga një tjetër gol në pjesën e dytë, teksa Mehmet Topal realizoi golin e nderit për skuadrën mike. /abcnews.al

