PSG e ka nisur mirë kampionatin, ndryshe nga Lyon që barazoi 1-1 në mesditë kundër Brest në shtëpi. Skuadra e Pochetino përmbysi Troyes dhe fitoi me rezultatin 2-0.
Vendasit befasuan, duke shënuar që në minutën e nëntë me El Hajjam. Sigurisht PSG nuk mund të dorëzohej dhe qetësinë e riktheu një nga blerjet e bujshme të kësaj vere.
Achraf Hakimi shënoi një gol mjaft të bukur me një goditje potente brenda zone, duke rikthyer baraspeshën për 10 minuta.
Vrulli i PSG nuk u ndal, pasi dy minuta më pas shënoi golin e epërsisë Mauro Icardi. Argjentinasi nuk fali brenda zone dhe e çoi topin në rrjetë.
Ai gol në fund rezultoi i fitores, ndërkohë që PSG u mundua shumë ta shënonte edhe të tretin. Një rast të mirë e kishte Kylian Mbappe, por sulmuesi nuk e çoi topin përtej vijës fatale.
Për të kaluar te Lyon, skuadrën e Peter Bosz e shpëtoi Slimani me golin e shënuar në fillim të pjesës së dytë, pasi Brest kishte shënuar e para me Cardona. /abcnews.al