Merr fund edhe një tjetër sezon në Premier League dhe java e fundit prodhoi 33 gola. Liverpool fitoi titullin kampion, duke rikthyer trofeun e madh pas 30 viteve në “Anfield”.
Skuadra e Klopp fitoi 1-3 në fushën e Newcastle, duke e mbyllur kampionatin në kuotën e 99 pikëve. Manchester City u rendit i dyti, teksa sot u mësuan edhe dy skuadrat e tjera që do të garojnë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Ata janë Chelsea dhe Manchester United, që fituan 2-0 dhe 0-2 kundër Wolves dhe Leicester City. Ekipi i Frank Lampard zgjidhi gjithçka në minutat shtesë të pjesës së parë, aty ku shënuan Mason Mount (eurogol) dhe Oliver Giroud.
Chelsea e mbylli sezonin në vend të katërt me 66 pikë, po aq sa “Djajtë e Kuq”. Djemtë e Ole Gunnar Soslkjaer fituan 0-2 përballjen direkte jashtë fushe me Leicester City. Miqtë luanin për dy rezultate, ndërsa fitorja ishte alternativa e vetme e Leicester City.
Bruno Fernandes ktheu në gol një penallti në minutën e 71-të, teksa Lingard dyfishoi në minutën e tetë shtesë, duke i dhuruar tre pikë shumë të rëndësishme ekipit të tyre. Vendi i pestë dhe kualifikim në Europa League për “Dhelprat” e Rodgers, kompeticion ku do të luajë edhe Tottenhami i Jose Mourinhos (barazoi 1-1 në fushën e Crystal Palace).
Aston Villa fitoi garën me Watford dhe siguroi qëndrimin në elitë. Ekipi nga Birmingemi, barazoi 1-1 në fushën e West Ham dhe u ndihmua nga Arsenali. Djemtë e Unai Emery mposhtën 3-2 Watford, që do të luajë në Championship sezonin e ardhshëm, bashkë me Bournemouth dhe Norwich. /abcnews.al